Shkelzen Buqezi

Ndërmjetësues në biznes mes Kosovës dhe DACH & Përkthyes i licencuar gjyqësor shqip-gjermanisht

Emri im është Shkelzen Buqezi. Jetoj dhe veproj në Prishtinë, Kosovë, ndërsa rrënjët i kam në Batushë, Malësia e Gjakovës – një trevë me traditë të fortë, ku vlerat shqiptare si besa dhe mikpritja e sinqertë ruhen me krenari edhe sot.

Duke u rritur ndërmjet dy botëve – Kosovës dhe Zvicrës – kam mësuar që herët t’i kuptoj dallimet kulturore dhe t’i shoh ato jo si pengesë, por si mundësi për lidhje dhe bashkëpunim. Një pjesë të fëmijërisë e kam kaluar në Winterthur, Zvicër, prandaj e njoh nga afër mentalitetin, mënyrën e komunikimit dhe standardet profesionale të hapësirës DACH, po aq sa i njoh edhe realitetet, mundësitë dhe sfidat në Kosovë.

Kam studiuar shkenca ekonomike me fokus në menaxhim dhe jam i licencuar si përkthyes gjyqësor për gjuhën gjermane–shqipe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Si ish-bursist i Fondacionit Konrad Adenauer në Kosovë, kam pasur mundësinë ta thelloj më tej njohurinë time në fushën e ekonomisë, komunikimit institucional dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në rrugëtimin tim profesional kam punuar, ndër të tjera, për tre vjet si zyrtar për kontrata dhe prokurim, si dhe për tre vjet si menaxher zyre në Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), në kuadër të projekteve të financuara nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). Këto përvoja më kanë dhënë një njohuri të thellë për proceset administrative, standardet gjermane të punës, bashkëpunimin ndërkulturor dhe kërkesat praktike të projekteve ndërkombëtare.

Paralelisht, së bashku me partnerë, kam bashkëthemeluar agjencinë e marketingut HERZWILL, të cilën e kemi zhvilluar dhe pozicionuar me sukses si në tregun e Kosovës, ashtu edhe në hapësirën DACH.

Me Mittler, sot i bashkoj këto përvoja, rrjete dhe kompetenca për të mbështetur kompani, investitorë dhe sipërmarrës në ndërtimin e urave të qëndrueshme të bashkëpunimit biznesor ndërmjet Kosovës dhe hapësirës gjermanishtfolëse DACH – si për ata që synojnë të hyjnë në tregjet e Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës, ashtu edhe për ata që nga DACH shohin Kosovën si vend për partneritet, investim apo zhvillim biznesi.

Ndiqeni Mittler në LinkedIn

Mos i humbisni zhvillimet kyçe në tregun e Kosovës dhe DACH – analiza të freskëta dhe informacione nga terreni.
Nach oben scrollen